Kosova po i zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së nesërme që e luan ndaj njërës prej kombëtareve më të forta në botë, Spanjës.
Kjo ndeshje ka bërë jehonë të madh, për faktin që Spanja nuk e njeh Kosovën por edhe për disa sjellje aspak të mira karshi vendit tonë, duke u mundur t’ia mohoi simbolet kombëtare.
Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani përmes gazetës së madhe “Marca” është munduar t’ua sqarojë spanjollëve historinë e vendit tonë, derisa ka folur edhe për luftën shkatërrimtare të Serbisë në Kosovë.
“Unë kam lindur në Kosovë, e cila i përkiste Jugosllavisë në atë kohë. Në vitin 1994 kemi ikur për shkak të luftës. Arritëm në Belgjikë. Unë jam rritur atje dhe mund të zgjedhja të luaja për kombëtaren belge. Zgjodha të luaj për Shqipërinë, sepse familja ime është shqiptare e Kosovës. Të luash për vendin tim ishte një ëndërr. Kur Kosova u bë ekip, unë menjëherë nisa t’i bëjë gati procedurat për të ndryshuar kombëtare”, ka thënë Ujkani.
Portieri i Torinos i tregoi spanjollëve, se sa anëtar të familjes i ka humbur gjatë luftës në Kosovë:
“Kam humbur dy xhaxhallarë dhe gratë e tyre. Gruan e kushëririt tim dhe vajzën e saj. Me pak fjalë, ato janë histori të vështira që ndodhën gjatë luftës. Ne humbëm gjithçka, sepse të gjitha shtëpitë në fshat u shkatërruan, u dogjën. Familja ime duhej të fillonte nga e para”, ka thënë ndër të tjera Ujkani duke vazhduar:
“Le të shohim çfarë do të bëjmë kundër Spanjës, na duhet një mrekulli sepse është favoriti i grupit pa dyshim. Qëllimi ynë është që të përfundojmë sa më lartë. Ne jemi një ekip i ri dhe me pak përvojë, por kemi lojtarë që luajnë në ekipe shumë të mira europiane. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën”, përfundoi Ujkani.