Salihu: Nuk mërzitem çfarë thonë të tjerët, ngadalë klubet dhe komunat kanë nisur të përmirësojnë infrastrukturën

Ndonëse janë bërë katër vite prej pranimit të Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA, futbolli kosovar po vazhdon të përballet me disa probleme bazike.

Projektet dhe idetë nuk kanë munguar asnjëherë, megjithatë mund të thuhet se infrastruktura në futbollin kosovar vazhdon të jetë në gjendje jo të kënaqshme.

Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është momentalisht stadiumi që i plotëson kushtet për ndeshjet kombëtare, teksa ‘Adem Jashari’ është shkatërruar plotësisht tashmë, por që priten punime më vonë në këtë implant.

Çfarë bie në sy është edhe stadiumi i qytetit në Gjilan, i cili është në gjendje të mjerueshme, ani pse ky stadium na sjell çdo vit ndeshjet e zjarrta derbi mes Dritës dhe Gjilanit.

Të pakënaqur me infrastrukturën e futbollit kosovar janë shprehur edhe njohësit e futbollit në vendin tonë.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ndonëse shumë i kritikuar kohëve të fundit nga disa klube të Superligës, ka thënë se është punuar në infrastrukturë, por që do të vazhdohet edhe më tej me punë.

Ai ka përmendur punët në disa prej Komunave të Kosovës, stadiumin ‘Adem Jashari’, si dhe për ndërtimin e fushave ndihmëse.

“Nuk duhet marrë me eufori, por ngadalë klubet dhe komunat kanë nisur të përmirësojnë infrastrukturën. Është kënaqësi e madhe t’i shohësh punimet te Feronikeli në Drenas, por edhe te Drenica. Ndërkaq stadiumi ‘Adem Jashari’ po bëhet i kategorisë së katërt dhe mund të mburremi me këtë implant”, u shepreh fillimisht Eroll Salihu për Zëri.info.

“Besoj se edhe Trepça’89 ngadalë do ta përmirësojë infrastrukturën pasi ka qenë një projekt i avansuar në MKRS. Por, edhe në Ferizaj dhe Gjilan kanë filluar të punojnë. Kryesorja është se FFK i ka përdorur të gjitha fondet për ndërtimin e gjashtë fushave, dhe për të tjerat është marrë Ministria. Nuk mërzitem çfarë thonë të tjerët, është jo-falënderuese të kritikohesh për fondet e UEFA-s të cilat përdoren për terrene sportive. Duke parë fillimin që kemi qenë zero, ne do të vazhdojmë tutje me punë”, vlerësoi Salihu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *