Liria e Prizrenit do t’i përfitojë edhe 200 mijë euro të tjera nga shitja e Vedat Muriqit nga Lazio te Mallorca, ka konfirmuar Qemal Krasniqi, presidenti i klubit nga Liga e Parë e Kosovës.
Ai po ashtu zbuloi për Gazetën Nacionale se Lazio ia ka një borxh prej 120 mijë eurove nga vitit 2020 kur e kishte blerë prizrenasin nga Fenerbahce.
Ende nuk dihet saktë çmimi për të cilin u ble Muriqi nga Mallorca, por që sipas raportimeve, ajo arrin te shifra e 9,3 milionë eurove, para që do të derdhen në arkat e Lazios.
E kjo më së shumti mund ta gëzojë skuadrën e Lirisë nga Prizreni, pasi që nëpërmjet ligjit të përfitimeve, i takojnë 2.5% të shumës totale, që në këtë rast i bie mbi 200 mijë euro.
Krasniqi për Nacionalen për përfitimet nga shitja e Muriqit në Mallorca, u shpreh kështu: “Nuk e di ende saktë çmimin e shitjes së Vedat Muriqit, por nëse është çmimi që po flitet, atëherë ne do të përfitojmë diku mbi 200 mijë euro, krejt kjo sipas personit të autorizuar nga klubi për transferimin e Vedat Muriqit, i cili na ka thënë se nëse shitet mbi 9 milionë euro, na takojnë aq para. Ta shohim deri të bëhet publike.”
Dje, Vedat Muriqi kaloi me sukses testet mjekësore te skuadra spanjolle, dhe menjëherë pas kësaj i erdhi radha të zyrtarizohej si lojtari më i ri i skuadrës.
Ishte fillimisht skuadra e Lazios që njoftoi me anë të një komunikate në faqen zyrtare, ku thuhej se Vedat Muriqi kishte kompletuar transferimin e tij në klubin ishullor spanjoll.
Nuk vonoi shumë edhe zyrtarizimi i Mallorcas, ku pas një ore përmes një video prej 2 minutave për të ditur ardhjen e re në skuadrën e tyre.
Vedati si i ri u formësua në Prizren, te Liria, por sa do t’i ndihmojnë këto para kësaj skuadre?
I pyetur se për çfarë qëllimi do të përdoren këto para, Krasniqi tregoi se prioritet është Shkolla e Futbollit Liria, për të cilën do të punojnë që ta zhvillojnë sa më shumë të jetë e mundur.
“Realisht ne si Liri këto para na ndihmojnë shumë, njëjtë si paratë që kemi marrë në të kaluarën. Këto para do të ndihmojnë si në organizim ashtu edhe në infrastrukturë për shkollën e futbollit e cila është prioritet për ne, por normalisht se mund të hyjnë në punë edhe për ekipin e parë.”
Kjo nuk është vetëm hera e parë kur skuadra prizrenase ia ka parë hairin Vedat Muriqit, pasi që edhe më herët kanë fituar para nga shitja e tij, qoftë në Fenerbahce apo edhe në Lazio, ku kjo e fundit ishte shumë më e madhe.
Por, sipas presidentit të Lirisë, Lazio ende nuk e ka përfunduar të gjithë detyrimin që ka ndaj skuadrës së tij për blerjen e Muriqit nga skuadra turke, dy vite më parë.
Në transferimin e vitit 2020, ku Vedati kaloi nga Fenerbahce në Lazio, kjo e fundit pagoi rreth 18 milionë euro, dhe sipas kësaj, Lirisë i takonin rreth 450 mijë euro, të cilat ishin të planifikuara të paguheshin në tre këste.
“Lazio ende nuk e ka paguar këstin e tretë apo të fundit të pagesës, e që është 120 mijë euro. Kemi marrë premtime në dy muajt e fundit që këto mjete do të dalin dhe biseda e fundit ishte paratë dalin në muajin korrik, por ende nuk ka asgjë. Lazio ka paksa probleme financiare sipas personit që e kemi autorizuar, dhe nuk dyshoj se këto para do të dalin, besoj që shumë shpejt do shlyhen ky detyrim.”