Mbrojtësi kosovar i Napolit, Amir Rrahmani ka folur në një konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes ndaj Leicester Cityt në Ligën e Evropës.
Rrahmani vlerësoi si ndeshje të rëndësishme takimin me “Dhelprat”, ndërsa tha se ata do ta japin maksimumin, ngase fati i skuadrës varet nga ajo ndeshje.
“Nesër është ndeshje e rëndësishme për ne dhe ata. Në këto ndeshje delikate mund të shohësh lojtarët e vërtetë. Ne japim gjithçka në fushë, hymë me koncentrimin dhe synimin që të japim më të mirën. Nesër është ndeshje e veçantë sepse 90 minutat do vendosin fatin e dy skuadrave. Duhet të jemi gati dhe të japim të gjitha”, tha Rrahmani në konferencë.
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës tha se me ardhjen e trajnerit, Spalletti ai po ka më shumë minuta në fushë.
“Me Spallettin ka ndryshuar tani sepse luajë më shumë. Në një skuadër të fortë si Napoli duhet të jenë gjithmonë dy lojtarë për çdo pozitë dhe katër për qendër. Trajneri gjithmonë ka shumë kërkesa që ndryshojnë dhe ne duhet të jemi gati. Si lojtar është normale për të gjithë që të kenë ëndrra këto ndeshje. Ti duhet të përmirësohesh edhe kur luan në një skuadër ku është më i miri në botë. Ka momente që vijnë duhet të presësh, por ka gjithmonë vende për këto momente”, deklaroi ai.
Ndeshja ndërmjet Napolit dhe Leicester Cityt luhet të enjten me fillim nga ora 18:45 në stadiumin “Diego Armando Maradona” në Napoli.