Lojtari e trajneri Wayne Rooney shpreson se bashkëlojtarët e tij të rinj në Derby County do të përfitojnë nga përvoja e të luajturit kundër Manchester Unitedit në rundin e pestë të FA Cup, përderisa edhe u shpreh i zhgënjyer nga një pritje mbresëlënëse e portierit të dytë të Manchester Unitedit, Sergio Romeros.
Derby County u mposht me rezultat 3:0 nga Manchester Unitedi në Pride Park të enjten në kuadër të rundit të pestë të FA Cup. Luke Shaw e zhbllokoi fillimisht rezultatin e ndeshjes, para se Odion Ighalo t’i shënonte dy gola për ta zënë një vend në çerekfinale kundër Norwich Cityt, transmeton Gazeta Express.
Kapiteni i Derby Countyt, Rooney, luajti kundër ish-klubit të tij dhe madje ishte afër të shënojë gol, mirëpo një goditje e mirë nga gjuajtja e lirë në momentet e fundit të ndeshjes u prit në mënyrë mbresëlënëse nga Romero.
“Sergio nuk ishte në humor për të qenë zemërgjerë. Ai mund ta kishte lejuar atë gol të hynte në portë. Do të kishte qenë mirë po të kisha shënuar”, tha Rooney, pas ndeshjes.
“Natyrisht Manchester Unitedi e ka një skuadër të mirë dhe ne me të vërtetë dëshironim ta provonim të fitojmë. Mendojmë se shorti ishte i favorshëm për ne dhe Manchester Unitedin. Sonte ata ishin më të mirë se ne. Por, për të rinjtë e Derbyt kjo është një përvojë e madhe”.
34-vjeçari e la Manchester Unitedin për Evertonin gjatë verës së vitit 2017, pas një karriere mbresëlënëse 13-vjeçare, gjatë së cilës u bë golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 253 golat e tij, si dhe i fitoi 12 trofe të mëdha. Ai iu bashkua Derbyt si lojtar-trajner në janar, pas një periudhe në ligën amerikane me DC Unitedin.