Ronaldo tregon momente të vështira në jetë

Dy legjenda të sporteve përkatëse, Ronaldo dhe Golovkin, janë krahasuar nga DAZN në një seri të re të quajtur “Fjalët Paralele”. I pari ka fituar gjithçka me fanellat e Manchester United, Real Madrid, Juventusit dhe Portugalisë; ndërsa i dyti është pesha e mesme më e mirë në boks e dhjetë viteve të fundit.

Portugezi, në veçanti, ishte shumë i intriguar nga karriera e kampionit kazak: “Të luaj futboll është pasioni im, por më pas shikoj sporte të tjera në televizion. Midis një ndeshjeje futbolli ose një tjetre boksi apo UFC, unë zgjedh opsionin e dytë. Nuk mendoj se mund të kisha qenë boksier, është e vështirë. Unë mendoj se kam lindur për të qenë një futbollist profesionist. Mendova se e kisha këtë dhunti që nga fillimi dhe i thashë vetes ta shfrytëzoja talentin që ma ka dhuruar Zoti. Boksi është më i vështirë, sepse kur garon je vetëm. Ti punon në palestër, ke ekipin tënd, por pastaj ata nuk vijnë në ring me ty. Në rastin tonë është ndryshe, sepse stërvitemi së bashku, qeshim, është një lloj tjetër sakrifice”.

Ronaldo: Kam qarë kur u largova nga Madeira

Cristiano Ronaldo më vonë zbuloi se e praktikonte boksin disa vite më parë: “Kur isha te Manchester United, një trajner boksonte me mua. Mendoj se praktikimi i tij mund të jetë i mirë për një futbollist, sepse mpreh shqisat tuaja, mësoni të lëvizni.

Golovkin dhe unë u rritëm në mjedise dhe kultura të ndryshme. Ishte e vështirë, sepse vinim nga familje të përulura. Nuk ishim të pasur, prandaj duhej të luftonim shumë në jetë. Rrethanat në të cilat rriteni përcaktojnë personalitetin dhe karakterin tuaj. Kam lindur në ishull, në Madeira, dhe në moshën 11-vjeçare, Sporting erdhi të flasë me prindërit e mi. Iu thanë se ishin të interesuar, por unë do të duhej të transferohesha në Lisbonë. Kur fola me ta, nëna ime më tha: ‘Bir, nëse është kështu dhe ti do, shko. Kam qarë çdo ditë, sepse më merrte malli për familjen. Ky ishte momenti im më i vështirë, ashtu si humbja e babait. Unë mendoj se është bukur të kesh emocione, ato nuk e fshehin se kush jemi në të vërtetë. Kush tha që burrat nuk qajnë? Të gjithë kemi ndjenja dhe duhet t’i shprehim”.

Ronaldo në moshë

Cristiano Ronaldo, më vonë, u përqendrua në kalimin e kohës: “Në moshën 33 vjeç fillon të mendosh se po nis e tatëpjeta, por unë dua të vazhdoj të luaj futboll. Njerëzit mund të mendojnë: Cristiano ishte një lojtar i pabesueshëm, por tani është i ngadaltë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë. Ju mund të kujdeseni për trupin tuaj, por nuk është ky problemi. Kjo varet nga mendja, motivimi dhe përvoja juaj. Federer, për shembull, është 39 vjeç dhe është ende në krye”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *