Cristiano Ronaldo është i bindur se Portugalia do ta sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022 përmes play-off’it, pas disfatës kundër 2:1 Serbisë të dielën.
Portugalia do ta siguronte pjesëmarrjen në Katar 2022 automatikisht edhe me një barazim ndaj serbëve në Lisbonë, por Ronaldo me shokë nuk ia dolën ta shmangnin humbjen duke pranuar gol në minutën e 90-të.
Aleksander Mitrovic shënoi në minutën e 90-të për ta dërguar Serbinë direkt në Katar si fituese të Grupit A kualifikues, pasi Dusan Tadic e kishte barazuar rezultatin në pjesën e parë, pas golit hapës në ndeshje nga Renato Sanches për Portugalinë.
Ronaldo e pati një natë për t’u harruar në Lisbonë, pasi nuk ia doli ta bëjë qoftë edhe një goditje në kornizën e portës serbe.
“Futbolli na e ka dëshmuar përsëri e përsëri se, nganjëherë, rrugët më të vështira janë ato që të dërgojnë në vendin më të dëshirueshëm. Rezultati i djeshëm ishte i rëndë, por i pamjaftueshëm për të na rrëzuar neve”, shkroi Ronaldo në Instagram.
Sulmuesi i Manchester Unitedit është i bindur se Portugalia e tij do ta sigurojë pjesëmarrjen në Katar 2022.
“Synimi për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2022 është ende shumë i arritshëm dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur atje. Nuk ka arsyetime. Portugalia po shkon në Katar”, shtoi ai.
Portugalia do ta mësojë emrin e kundërshtarit në play-off muajin e ardhshëm. Dy ndeshje play-off’i, vajtje-ardhje, do të zhvillohen në mars.