Ronaldo del pozitiv me COVID-19

Cristiano Ronaldo është lënë jashtë skuadrës së Portugalisë në përballjen me Suedinë pasi ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Federata Portugeze e Futbollit e ka konfirmuar lajmin në një deklaratë zyrtare të bërë të martën, e cila thotë: “Cristiano Ronaldo është liruar nga stërvitja me ekipin kombëtar pasi ka rezultuar pozitiv me Covid-19, kështu që ai nuk do të luajë kundër Suedisë”.

“Përfaqësuesi portugez është mirë, pa simptoma, dhe në izolim. Pas rezultatit pozitiv, edhe lojtarët tjerë u testuan të martën në mëngjes, por që të gjithë rezultuan negativë dhe janë në dispozicion të Fernando Santosit për stërvitje këtë pasdite”.

Ronaldo do të qëndrojë në izolim për dy javë dhe nuk do të mundet të përballet me Suedinë të mërkurën mbrëma.

35-vjeçari pritet t’i mungojë edhe Juventusit në ndeshjen si mysafir ndaj Crotones në Serie A këtë fundjavë, si dhe në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve për Ligë të Kampionëve kundër Dynamo Kievit më 20 tetor.

Ai luajti 90 minuta në barazimin e Portugalisë 0-0 me fituesin e Botërorit 2018 Francën të dielën, duke bërë edhe paraqitjen e 167-të ndërkombëtare.

Me këtë rezultat, skuadra e Fernando Santosit mbetet në krye të Ligës A të Grupit 3, me golaverazh para Francës, me Kroacinë katër pikë prapa në vendin e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *