Rivaldo e ka kritikuar ashpër Barcelonën për mënyrën sesi e ka menaxhuar situatën e Lionel Messit.
Ish-futbollisti “blaugrana”, teksa po fliste për situatën e rëndë ekonomike që po kalon Barça, u shpreh se vendimi për ta mbajtur edhe një vit Messin e pastaj për ta lënë të largohej si lojtar i lirë ishte i gabuar.
Nga një këndvështrim ekonomik, ai beson se shitja e 6 herë fituesit të Topit të Artë do të shmangte krizën ekonomike.
Ai akuzon bordin e mëparshëm se nuk ka reaguar kur futbollisti kishte ende një kontratë afatgjatë dhe, për ta ilustruar këtë, ai përdor rastin e Cristiano Ronaldos me Madridin.
“Bordi i mëparshëm bëri një gabim duke mos e shitur Messin kur ai ende kishte një kontratë. Mund të bënin diçka të ngjashme me atë që bëri Real Madridi me Cristiano Ronaldon, kur e shiti dhe përfitoi 100 milionë euro”.
Rivaldo mendon se presidenti që do të zgjidhet do ta ketë të vështirë ta bindë yllin argjentinas të rinovojë kontratën.
“Tani largimi i Messit duket i pashmangshëm. Është shumë e dhimbshme të shohësh se si një lojtar kaq i talentuar do të largohet nga Barcelona falas, kur klubi po kalon përmes shumë probleme ekonomike”.
Borxhi i Barcelonës shkon deri në 1.2 miliard euro, ndërsa shumica prej tyre duhet të paguhen brenda një periudhe të shkurtër kohore.