Rifillimi i kampionatit mund të shtyhet – ky është lajmi i fundit

Ndonëse FSHF dhe klubet e Kategorisë Superiore kanë caktuar datën 3 qershor për rinisjen e kampionatit, ende nuk ka ardhur drita jeshile. 

Për këtë ka folur edhe mjeku i Kombëtares, Xhanluka Stesina, i cili për “RTSH” është shprehur se ende përgjigjja nuk ka ardhur për rinisjen e kampionatit më 3 qershor, pasi po kërkohet një datë e përshtatshme ku do ishin dakord të gjitha palët dhe mund të fillojë më 10 qershor.

“Në krahasim me vendet e tjera, situata shëndetësore në Shqipëri është shumë e mirë, në krahasim me vendet e tjera. Në Shqipëri nuk ka nisur ende kampionati, për shkak se Federata dhe qeveria po kërkojnë një datë të përshtatshme, ku do të binin dakord të gjitha palët. Në Gjermani dhe Itali po kryhen shumë teste, diçka që në Shqipëri nuk mund të plotësohet.

Me siguri që nga java e ardhshme stërvitja do të futet në fazë të avancuar dhe që nga data 3 apo 10 qershor, do të fillojë dhe kampionati. Rreziku i dëmtimeve, sidomos atyre muskulore pas një periudhë të tillë inaktiviteti është shumë i lartë. Mjafton të kesh parasysh dëmtimet që po ndodhin në kampionatin gjerman apo në Itali me Ibrahimoviç.

Për klubet që kanë filluar prej pak kohësh stërvitjet, është e rëndësishme që të bëjnë një punë graduale sidomos në aspektin e intensitetit që të mund të evitohen dëmtimet muskulore dhe problemet me tendinat që do të vononin rikuperimin e lojtarëve e komprometonin çuarjen në fund të sezonit”, u shpreh Stesina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *