Me duelin e sotëm të Gjilanit dhe Besës ka marrë fund edhe xhiroja e 27-të në Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani i Ismet Munishit e deklasoi sot Besën e Pejës duke e mposhtur me rezultat bindës 5:1.
Pas kësaj jave, Drita prin në tabelë me 58 pikë, tri më shumë se Ballkani dhe katër më shumë se Prishtina, shkruan Gazeta Express.
Këto tri ekipe do ta thonë fjalën e fundit për këtë edicion për titullin e kampionit në Superligë.
Gjilani gjendet në vendin e katërt me 40 pikë, e pashqetësuar dhe aktualisht pa ndonjë objektiv.
Në fund të tabelës gjendet Besa me 10 pikë, kurse tashmë vendin e parafundit që dërgon në Ligën e Parë e ka Arbëria me 27 pikë.
Pas fitores ndaj Trepçës’89, Drenica ka kaluar tri pikë para ekipit nga Dobraja e Lipjanit.