Legjenda e Italisë dhe Romës, Francesco Totti, ka mbrojtur Kylian Mbappen lidhur me vendimin për të refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar Real Madridit.
Pavarësisht se ishte i lidhur ngushtë me një kalim në “Santiago Bernabeu”, Mbappe në fund vendosi për të nënshkruar kontratë të re me Paris Saint-Germainin, të vlefshme deri më 30 qershor 2025.
23-vjeçari filloi të cilësohej si tradhtar për këtë vendim, por Totti, një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit italian dhe jo vetëm, ka mbështetur vendimin e Mbappes për të qëndruar në Paris.
“Për mua, është një zgjedhje e zemrës. Ai duhet të menaxhohet dhe të mbrohet si të gjithë kampionët e mëdhenj. Ai nuk mund të gjejë më mirë se PSG “, tha Totti për “Sky Sport Italia”.
Kujtojmë se edhe ish-reprezentuesi i Italisë dhe anëtari i Romës ishte kërkuar me ngulm nga Real Madridi në kohën kur ai ishte futbollist aktiv, por Totti atëbotë kishte thënë se “nënshkrimi me ‘Los Blancos’ do të ishte tradhti për historinë e tij”.
“Unë nuk do të shkoja në Real Madrid sepse nuk ishte historia ime. Historia ime ishte Roma, Roma”, kishte deklaruar Totti për “The Guardian” në vitin 2021.