Real Madridi edhe matematikisht e ka siguruar titullin e kampionit në La Liga, pas fitores 4:0 kundër Espanyolit.
Për “mbretërit” është trofeu numër 35 i elitës së futbollit spanjoll, duke e konfirmuar edhe njëherë se janë klubi më i trofeshëm në Gadishullin Iberik.
Rodrygo hapi serinë e golave në minutën e 33-të, për ta dyfishuar dhjetë minuta më vonë, golat të cilët vendosën epilogun e fraksionit të parë.
Dhjetë minuta pasi nisi pjesa e dytë, Asensio realizoi golin e tretë për madrilenët.
Në listën e realizatorëve në këtë duel feste nuk kishte si të mungonte top sulmuesi dhe lojtari më në formë i Real Madridit, Karim Benzema që shënoi në minutën e 81-të golin e katërt për vendasit.
Festa në fund të ndeshjes ishte e madhe sikur te futbollistët ashtu edhe në tribuna dhe mijëra të tjerë rrugëve të Madridit.
Real Madridi ishte superior këtë edicion në La Liga, ndërsa renditet i pari me 81 pikë, 15 më shumë se Sevilla në pozitën e dytë.
La Liga ka edhe disa xhiro deri në fund të edicionit, mirëpo qysh tani është mësuar emri i kampionit të këtij sezoni.