Sulmuesi francez, Karim Benzema po kalon formë shumë të lartë. Pasi realizoi “hat-trick” në Champions, Benzema të hënën mbrëma pati ndeshje të madhe në La Liga. Ai udhëhoqi Real Madridin drejt fitores bindëse ndaj Mallorcas, 3:0.
Mallorca ishte vendase në ndeshjen e fundit të xhiros së 28-të në La Liga. Te fitorja Reali erdhi në pjesën e dytë. Benzema në minutën e 55-të asistoi për Vinicius Junior që realizoi për 1:0.
Në minutën e 77-të, Benzema realizoi nga pika e bardhë për 2:0. Penalltinë e siguroi Vinicius Junior. Ndërsa në minutën e 82-të, Benzema realizoi për 3:0, pas asistimit të Marcelos.
Benzema ka arritur në shifrën e 22 golave dhe 11 asistimeve në këtë edicion të La Ligas. I ka edhe tetë gola e një asistim në shtatë ndeshje në Ligën e Kampionëve. Për Superkupë në dy ndeshje ka dy gola e një asistim.
Reali po marshon drejt titullit të kampionit. Udhëheq në tabelë me 66 pikë, dhjetë më shumë se përcjellësja e parë Sevilla. Ndërkohë Mallorca po rrëshqet drejt zonës së rrezikshme. Aktualisht mban pozitën e 16-të me 26 pikë.
Vedat Muriqi e kompletoi ndeshjen te Mallorca. Ai madje kishte disa raste për shënim, por pa ia dalë të konkretizoi.