Real Madridi ka pësuar disfatë nga Mallorca në kuadër të javës së 20-të në kampionatin elitar spanjoll.
“Mbretërit” u mposhtën 1:0 nga ekipi ishullor në stadiumin “Visit Mallorca Estadi”.
Ishte mbrojtësi i Los Blancos, Nacho Fernandez që vulosi epilogun e takimit me autogol në minutën e 13-të. Rol të madh luajti edhe Vedat Muriqi i cili ishte në dyluftim në ajër me spanjollin, me këtë të fundit që në tentim për të larguar topin e dërgoi gabimisht në rrjetë.
Real Madrid kishte mundësi të bënte kthim në lojë në minutën e 59-të, sikur Asensio ta dërgonte topin në rrjetë në penalltia. Goditjen e reprezentuesit spanjoll e priti portieri Rajkoviq.
Vlen të përmendet se sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi u paraqit për 90 minuta për nikoqirët.
Me këtë humbje, “mbretërit” mbeten në pozitën e dytë me 45 pikë, pesë më pak se Barcelona lidere që ka një takim më pak.
Mallorca zë vendin e 10-të me 28 pikë.