Reali i Madridit ka zhgënjyer plotësisht pasditen e sotme në Valdebebas, pasi është mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga skuadra e sapo ngjitur në elitën e futbollist spanjoll, Cadiz.
Në një sfidë ku fitorja ishte një detyrim, djemtë e Zinedine Zidane kontrolluan topin në pjesën më të madhe të lojës, por nuk arritën ta konkretizojnë këtë dominim me raste e gola, pasi goditën vetëm dy herë gjithsej kuadratin e portës kundërshtare.
Nga ana tjetër Cadiz gjeti golin që në minutën e 16-të me anë të sulmuesit nga Hondurasi, Anthony Lozano, ndërsa më pas u mbrojt me forca të shumta dhe provoi të zbresë me kundërsulme, por pa arritur të kërcënojë më kuadratin e Courtois.
Në pjesën e dytë trajneri Zidane ndërroi të gjithë mesfushën dhe provoi t’i japë freski skuadrës, por pa arritur të krijojë raste të rrezikshme, ndërsa me këtë humbje mbetet në kuotën e 10 pikëve pas 5 javësh.
Po kaq pikë ka arritur të grumbullojë edhe Cadiz, që është shfaqur si surprizë e la Ligës në këto javë të para, ndërsa në mbrëmje do të jetë Barcelona që do të provojë të ngjitet në të njëjtën kuotë pikësh, në krye të renditjes.