Lionel Messi ka thënë se ndihet i nderuar që ka arritur ta barazojë rekordin e legjendës Xavi për më së shumti paraqitje në fanellën e Barcelonës, pasi e zhvilloi ndeshjen e 767 në karrierë për katalonasit të hënën kundër Huescas.
Messi do ta thyejë rekordin e Xavit dhe do të bëhet lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e klubit kur Barça të takohet me Real Sociedadin të dielën e ardhshme, transmeton GE.
Superylli argjentinas i falënderoi bashkëlojtarët dhe familjen për këtë arritje përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
“Është nder i madh ta arrij këtë numër ndeshjes me Barcelonën”, shkroi Messi në Instagram.
“Faleminderit të gjithë bashkëlojtarët të cilët më shoqëruan nder vite, si dhe familjes dhe miqve që kanë qenë gjithmonë përkrah meje”, shtoi ai.
Messi, i cili i shënoi dy gola fantastikë në fitoren e Barçës 4:1 kundër Huescas, u lartësua edhe nga kundërshtari i tij natën e së hënës, Rafa Mir.
“Barcelona luan me një lojtar më shumë kur ai është në fushë”, tha Mir.
Lëvdata atij i thuri edhe trajneri i vet Ronald Koeman, i cili tha se Barcelona është me fat që Messi është pjesë e saj akoma.
Duke folur pas ndeshjes, Koeman tha: “Mendoj se Messi e ka dëshmuar se është më i miri. Goli i parë ishte fantastik. Ai e meriton të jetë i rëndësishëm për këtë ekip”.