Menaxheri i Milot Rashicës, Altin Lala, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për të ardhmen e mesfushorit kosovar, i cili aktualisht luan për skuadrën gjermane Werder Bremen dhe ka zbuluar se ai pritet që në fund të këtij sezoni të ndryshojë skuadër.
Këto komente Lala i bëri pas ndeshjes miqësore ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë e zhvilluar për nder të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Kosovës.
Lala tha se janë lëndimet ato që e kanë penguar Rashican që të tregojë më të mirën e tij në këtë sezon por që tashmë i ka tejkaluar ato dhe se ai po i rikthehet formës së tij më të mirë.
“Për fatin e keq ka pasur dy lëndime, një në fillim të sezonit dhe një para se të përfundojë faza e parë dhe ai tashmë është rikthyer në formën e tij të mirë dhe në lojën e fundit ishte lojtari më i mirë. Shpresoj që të vazhdojë në këto hapa dhe pastaj deri në fund të sezonit të zhvillojë lojë të mira. Unë mendoj që në fund të këtij sezoni me shumë gjasa do të ndryshojë skuadër” tha Lala.
Në lidhje me atë se cilat janë skuadrat që kanë shprehur interesim për shërbimet e Rashicas, Lala nuk ka dashur të përmend emra, duke thënë se është ende herët dhe se kjo do të kuptohet në kohën e duhur.
“Për momentin akoma se është herët por do t’ia lëmë kohës dhe ndeshjeve të ardhshme që edhe njëherë shpresoj që aty të shënojë dhe të aktivizohet sa më shumë dhe kualitetet e tij dihen. vetëm tani duhet me dhënë dhe në fushë dhe pastaj çdo gjë është e hapur.”, deklaroi Lala.
Mediat gjermane kohëve të fundit kanë raportuar se për Milot Rashicën kanë shprehur interesim Aston Villa dhe gjiganti italian, Milan.