Raportimet për parregullësi në Kuvendin e rregullt zgjedhor, FFK del me një sqarim

Komiteti Ekzekutiv i FFK nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje KE vendosi që në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për kryetar.

Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë.

Vetëm pak minuta pas vendimit të KE-së të FFK-së për caktimin e Kuvendit të rregullt zgjedhor, në media u raportua për disa parregullësi në lidhje me statutin e institucionit më të lartë të futbollit në Kosovë, FFK.

Raportimet ishin se për shkak se në pikën 3 të nenit 39-të, thuhet se kandidatët për Kryetar të FFK-së, duhet që së paku dy muaj përpara datës së zgjedhejve të propozohen nga anëtarët e saj, kjo pasi që të sigurohen 15 nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së.

Shtëpia e futbollit kosovar në orët e mbrëmjes ka dalur me një sqarim për opinionin në lidhje me këto raportime.

Sqarimi i plotë i FFK:

Vetëm pak minuta pas vendimit të KE-së të FFK-së për caktimin e Kuvendit të rregullt zgjedhor, në media dolën ca persona që për shumë kohë përhapin të pavërteta dhe dezinformata për FFK-në, për më shumë të njëjtit shumë kohë më parë janë të përjashtuar dhe ndëshkuar nga anëtarësia në organet e FFK-së.

Për sqarim të opinionit dhe mediave ju informojmë se statuti i FFK-së është publik dhe të gjithë mund të kenë qasje në të, të lexojnë e shohin se si parashihet thirrja e Kuvendit dhe koha e caktuar për mbajtjen e kuvendit.

Ju informojmë se në bazë të nenit 28. 1 dhe 28.2 konvokimi i Kuvendit të FFK-së bëhet me vendim të KE-së, delegatët i informon Sekretari Gjeneral së paku 30 ditë përpara mbajtjes së mbledhjes. Pra kuvendi i thirrur sot është konform Statutit të FFK-së dhe Rregullores së Punës sepse data e caktuar është më shumë se 30 ditë që parasheh statuti dhe rregullorja. Po ashtu, neni 10.2 i Rregullores së Punës së Kuvendit të FFK-së parasheh të njëjtën gjë, 30 ditë është afati më i afërt kur mund të caktohet Kuvendi i rregullt.

Të apostrofuarit në media me qëllim dezinformojnë publikun se kinse afati 30 ditor është vetëm për Kuvend të jashtëzakonshëm, por kjo nuk qëndron. Po ashtu, thirrja e tyre në afatin 2 mujor nuk ka të bëjë me thirrjen e Kuvendit por me afatin kur mund të propozohen kandidatët për kryetar konform nenit 39.3 të Statutit të FFK-së.

Në afatin e paraparë në Statut dhe Rregullore të Punës do të njoftohen edhe delegatët në lidhje me kohën dhe rendin e ditës. Po ashtu, në afatin e paraparë do të informohen edhe organet e FIFA-së dhe UEFA-së për këtë kuvend.

Gjithmonë do të jemi në shërbim të informimit të drejtë të publikut dhe mediave, ndërsa ndaj atyre pak personave që shpifin do të adresohen te organet kompetente për shpifje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *