Sergio Ramos është pranë kthimit në fushat e lojës, pasi më në fund duket se ka lënë pas problemet fizike që e kanë shoqëruar që kur firmosi për PSG-në.
I afruar me shumë bujë te parisienët, ai praktikisht ka kaluar gjithë kohën në infermieri, për shkak të problemeve të vazhdueshme.
Por tani ai po kthehet në fushë dhe parisienët po e presin krahëhapur, siç ka treguar sot e përditshmja ”L’Equipe”.
Ajo ka shpjeguar njëkohësisht se marrëdhënia e futbollistit me yjet e tjerë është e mirë, por e veçantë është ajo me Lionel Messin.
“Mbrojtësi veteran ka marrëdhënie të mira me të gjithë. Edhe marrëdhënia e tij me Lionel Messin është e mirë, por nuk zhduken 10 vite të “El Clasico” menjëherë…”, ka shpjeguar një burim brenda klubit francez për të përditshmen sportive, duke lënë të kuptohet se miqësia mes tyre ndikohet ende nga përplasjet e vazhdueshme që kanë pasur dy lojtarët në duelet e ndezura ndër vite në Spanjë.