Trajneri i Dritës së Gjilanit, Zekirija Ramadani, është i kënaqur me shortin e plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës.
Drita do të luajë me Celjen sllovene. Celje dhe AZ Alkmaari ishin kundërshtarët e mundshëm të gjilanasve.
Skuadra holandeze kishte fituar bindshëm ndaj Dritës në fazën e ligës. Për këtë arsye gjilanasit kanë shpresuar të shmangin Alkmarin.
“Ishte shorti që kemi dëshiruar, jo sepse ekipi i Celjes është i dobët, por sepse pamë forcën e AZ Alkmaarit . Donim që tani të shohim edhe forcën e Celjes. Bëhet fjalë për një skuadër që është në vendin e parë në ligën sllovene, me plot 12 pikë avantazh ndaj vendit të dytë. Do të jetë një përballje shumë e vështirë, por nuk do të dalim të dorëzuar, do të bëjmë gjithçka për t’ua vështirësuar punën”, ka thënë Ramadani për faqen zyrtare të Dritës.