Gjilani ka marrë një tjetër fitore në këtë fillim të kampionatit, duke triumfuar edhe në Klinë te Dukagjini.
“Kuqebardhët” nën drejtimin e trajnerit, Zekirija Ramadani triumfuan 0:1 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani foli për ndeshjen dhe ecurisë pa humbje të skuadrës së tij.
Ai tha se ecuria e Gjilanit në këtë fillim të kampionatit nuk është e rastësishme.
“E para i uroj për fitoren futbollistët për angazhimin në një fushë të vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë, pjesën e parë na takoi neve plotësisht, dy shtylla dhe një gol. Në pjesën e dytë ishim të kujdesshëm, e menaxhuam mirë rezultatin deri në fund dhe normal e arritëm fitoren që ishte objektivi ynë. Falenderojë Skifterat që ishin në Klinë për të na mbështetur”, tha Ramadani për ArtSport.
“Duke e parë punën që bëhet në stërvitje, puna pas eliminimit në Ligën e Konferencës kemi rënë psikologjikisht, por u rikthyem. Duke parë edhe kalendarin që ishte i favorizuar për neve, prisnim një ecuri të mbarë dhe kështu u bë. Kjo vjen vetëm me punë dhe nuk vjen rastesisht. Përveç motivimit, skuadra ka edhe formën optimale, sepse kanë kaluar pesë xhiro dhe pas ketyre ndeshjeve skuadrat janë në formë të mirë”, shtoi ai.
Me këtë fitore, Gjilani vazhdon i vetëm në krye të tabelës me 13 pikë, pesë më shumë se Drita që ka një ndeshje më pak. Dukagjini është i fundit me vetëm një pikë.