Ish-kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, ka thënë se ai është i bindur që Pep Guardiola do ta fitojë sërish trofeun e Ligës së Kampionëve, për herë të tretë në karrierë, edhe pse nuk është i sigurt nëse këtë do ta arrijë me Manchester Cityn.
I vlerësuar si njëri ndër legjendat më të mëdha të Barcelonës, Carles Puyol e kishte kaluar të gjithë karrierën e tij si profesionist me klubin katalonas, duke e fituar Ligën e Kampionëve gjithsej tri herë, dy herë gjatë kohës sa trajner ishte Pep Guardiola, transmeton Gazeta Express.
Tani aktual i Manchester Cityt nuk ka shijuar triumf në Evropë që nga ditët e tij në Camp Nou, përkundër që me Bayernin iu afrua titullit deri në gjysmëfinale. Por, Puyol beson se është vetëm çështje kohe deri sa ish-trajneri i tij të lërë gjurmë në Evropë sërish.
“Për mua, Pep është trajneri më i mirë që e kam pasur dhe trajneri më i mirë në botë. Ju mund ta kuptoni menjëherë nëse një skuadër është stërvitur nga Pep duke parë nga mënyra se si luan ajo skuadër. Për këtë arsye jam i bindur se ai do ta fitojë atë titull sërish”, ka thënë Puyol.
“Nuk mund ta di nëse do të arrijë ta fitojë tani me Manchester Cityn, por ata do të fokusohen shumë në atë gare, pasi që është praktikisht e pamundur ta arrijnë Liverpoolin tani në Premierligë”.
Tifozët e Manchester Cityt do të shpresojnë se Guardiola do ta fitojë këtë titull këtë sezon, pasi që nuk do të ketë mundësi ta bëjë këtë në dy sezonet e ardhshme, shkaku i dënimit nga UEFA për ta pezulluar klubin anglez për dy sezone nga garat evropiane dhe për ta gjobitur me 30 milionë euro.
Manchester City ka mjaft shumë vetëbesim se do ta arrijë triumfin në Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke u nisur edhe nga fitorja me rezultat 2:1 kundër Real Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 të finales.