Siç është traditë çdo vit, e përditshmja franceze “L’Equipe” ka publikuar sot pagat e të gjithë lojtarëve në Ligue 1. Dhjetë lojtarët më të paguar në kampionatin francez janë të PSG-së, me Neymar të parin dhe Mbappé të dytin.
Ndërkombëtari francez është përfituesi i dytë më i lartë, duke marrë 2.098 milionë € neto në muaj. E thënë ndryshe, paga e tij arrin në 25 milionë € në sezon.
Sipas informacioneve nga prestigjiozja franceze, sulmuesi i PSG-së ka një klauzolë, që e rrit pagën e tij vit pas viti. Nëse këtë sezon ka një pagë prej 25 milionë €, në vitin e fundit të kontratës aktuale, e cila skadon më 2022, Mbappé do të fitojë 26.5 milionë €.
Një shifër që do të rritet edhe më, në rast rinovimi. Flitet se ekipi parizien është gati të rinovojë me 22-vjeçarin, kampion bote, për shumën e 30 milionë € në vit.
Megjithëse PSG ka pasur humbje në shumën prej 240 milionë € për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, nënkampioni aktual i Europës do t’i përqendrojë të gjitha përpjekjet në rinovimin e Mbappé, pasi e konsideron atë gur themeli të projektit, së bashku me Neymar.