Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka arsyetuar vendimin e fundit të kësaj federate për ndalimin e dhënies pa pagesë të momenteve kryesore të ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll.
Sipas tij, kjo praktike aplikohet në të gjithë botën, derisa ka shtuar se FFK-së xhirimi i vetëm një ndeshje i kushton deri në 1800 euro.
Ademi duke folur për KosovaPress ka thënë se shuma e kërkuar nga FFK që këto materiale t’iu dërgohen mediave është 115 euro për një ndeshje.
“Injorantë që nuk e njohin çështjen ose injorantë që duan të flasin keq për federatën mund të flasin gjithçka. Kjo është në tërë botën e njohur, ne deri më tani i kemi lënë pa para, jo që nuk kemi dashur t’ua marrim ose nuk kemi dashur ta bëjmë këtë punë, këto mjete shkojnë të gjitha në klube. Ne këtë vit e kemi një ndryshim tek operatori i blerjes së të drejtave të televizionit dhe sigurisht që ndeshjet ne i organizojmë vet, e xhirojmë vet dhe i paguajmë vet…Ne na kushton 1500 deri 1800 në ndeshje për ta xhiruar dhe nëse e shohim sa sa kemi kërkuar për t’i mbuluar këto, kemi kërkuar një shumë që çdo televizioni, nëse e përpjestojmë me ndeshje i bie 115 euro për një ndeshje dhe të thuhet nuk i kemi ato mjete është marri”, ka thënë Ademi.
Tutje, i pari i FFK-së theksoi se mediat mund të bashkëpunojnë me federatën edhe duke ofruar pajisjet e tyre për xhirimin e ndeshjeve dhe në këmbim do t’i merrnin pamjet e ndeshjeve.
“Ky është produkt i FFK-së dhe nuk kemi kërkuar strikt që të na i japin ato para, por pse nuk mund të na i lirojnë për aq para të televizionit, ose me këto kombit e regjisë, të jenë bashkëpunues me ne dhe më atë kombi do ta na i xhironin aq lojë sa i bie një kompanie televizive pa para dhe ne ua japim pa para sepse nuk janë para që federata i merr për vete, asnjë cent, po e përsëris, asnjë cent, nga të drejtat televizive dhe nga këto momente më të rëndësishme të ndeshjeve që i kemi bërë dhe marrin kaq bujë i marrin të gjitha klubet sepse është produkt i klubeve”, theksoi ai
I pari i FFK-së gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë me disa media është arritur marrëveshja për dhënien e këtyre video materialeve edhe me kushte e reja të vendosura nga ana e federatës.