Prishtina do të përballet sot me Ferencvaros në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues, në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në fushatën e saj debutuese.
Takimi i parë i këtij rrethi do të zhvillohet sot në orën 18:00 në stadiumin e Ferencvarosit në Budapest, ku klubi nga kryeqyteti i Kosovës u mirëprit nga hungarezët me një mesazh mirëseardhës në gjuhën shqipe.
Takimi i kthimit mes tyre zhvillohet pas një jave në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë dhe fitues kalon në rundin e dytë kualifikues, ndërsa humbësi dërgohet në kualifikime për pjesëmarrje në Europa Conference League.
Ky do të jetë takimi i parë mes kampionit të Hungarisë dhe kampiones së Kosovës.
Skuadra e Zekirija Ramadanit e kreu një stërvitje në fushën e stadiumit të klubit hungarez të hënë mbrëma, për t’u njohur me terrenin ku do ta zhvillojë betejën sonte.
Duke folur para ndeshjes, Ramadani tha: “Ne nuk kemi ardhur me flamur të bardhë, kam besim të plotë në futbollistët e mi, duke besuar shumë në rezultat pozitiv. E kemi analizuar Ferencvaroshin, e dimë çfarë kundërshtari i fortë është. Ia dimë pikat e forta”.
Bardhekaltrit e siguruan një vend në rrethin e parë kualifikues falë triumfit në mini-turneun e fazës parakualifikuese, ku i fituan dy ndeshje, duke e mundur kampionin e San Marinos, Folgore, në një ndeshje gjysmëfinale dhe pastaj Inter Club d’Escaldes në një ndeshje finale gjatë muajit të kaluar.