Prishtina ka barazuar 1-1 ndaj Ferizajt në ndeshjen e xhiros së 16-të të Albi Mall Superligës, duel i zhvilluar sot në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Bardhekaltrit kaluan në epërsi në minutën e 51-të me golin e Ilievskit, i cili konkretizoi dominimin e ekipit vendas. Megjithatë, Ferizaj reagoi shpejt dhe vetëm në minutën e 60-të arriti të barazojë shifrat, kur Veliu realizoi saktë nga pika e penalltisë.
Ky rezultat e ngjit Prishtinën në pozitën e dytë të tabelës me 27 pikë, ndërsa Ferizaj mbetet në vendin e parafundit me 16 pikë, duke vazhduar betejën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.
Prishtinasit humbin mundësinë për t’u afruar me kreun, ndërsa Ferizaj merr një pikë të vlefshme në garën e ashpër të pjesës së poshtme të tabelës.
Gjilani dominon Llapin me 3-0, fitore e thellë në “qytetin e sportit”
Ndërkohë, Gjilani ka marrë një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar ndaj Llapit, duke triumfuar 3-0 në një ndeshje ku shkëlqyen futbollistët e Debatik Currit.
Qysh në minutat e para, ndeshja mori kthesë dramatike. Llapi mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi kapiteni Axel Gnapi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 3-të, pas një ndërhyrje të rrezikshme ndaj portierit Laroshi.
Pavarësisht epërsisë numerike, pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që rrezikuan disa herë.
Gjilani shpërtheu në pjesën e dytë.
47’ – Sabit Bilali shënoi nga afërsia për 1-0, duke i dhënë ritmin ndeshjes.
57’ – Mevlan Adili dyfishoi epërsinë, pasi u gjend i lirë në zonë dhe realizoi për 2-0.
87’ – Senad Jarovic vulosi triumfin me golin e tretë, duke i dhënë Gjilanit një fitore të pastër 3-0.
Me këtë rezultat, Gjilani ngrihet në pozitën e gjashtë të tabelës me 22 pikë, ndërsa Llapi mbetet i shtati me 20 pikë dhe humb terren në garën për vendet e para.
Në xhiron e ardhshme, Gjilani zhvillon derbin lokal si mysafir i Dritës, ndërsa Llapi pret Malishevën në Podujevë.