Prishtina dënohet rëndë nga FFK-ja pas përleshjes mes tifozëve, e pëson edhe Ballkani

Federata e Futbollit e Kosovës ka zbuluar dënimet e shqiptuara ndaj FC Prishtinës nga Komisioni Disiplinor, si dhe ndaj Ballkanit.

KD e FFK-së ka shqiptuar gjobë prej 1200 eurosh ndaj klubit kryeqytetas.

FC Prishtina është dënuar gjithashtu edhe me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vetë. Klubi “bardhekaltër” gjithashtu do të duhet të paguajë edhe dëmin e shkaktuar nga tifogrupi “Plisat” në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa shuma e dëmit të shkaktuar do të përcaktohet më vonë nga organi kompetent.

Kurse, FC Ballkani është dënuar me gjobë prej 1000 eurosh dhe gjithashtu klubi kampion në fuqi obligohet të paguajë dëmin e shkaktuar nga tifogrupi “Xhebrailat” në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Këto masa ndaj Prishtinës dhe Ballkanit lidhen me incidentet e krijuara nga ndeshja e javës së pestë në Superligën e Kosovës.

Para fillimit të kësaj ndeshje, “Plisat” kishin sulmuar fizikisht “Xhebrailat” e Suharekës, derisa Komisioni Disiplinor i FFK-së ka treguar edhe arsyet për vendimet e tjera.

Njoftimi i plotë:

“FC “Prishtina”. Lëshim në organizimin e ndeshjes. 15 minuta para fillimit të ndeshjes tifozët vendas ”Plisat”, kalojnë rrethojat e tribunës jugore dhe përmes shtegut të atletikës, pa i penguar askush, vërsulen në anën veriore, në tribuna ku ishin tifozët mysafirë ”Xhebrailat”, i sulmojnë fizikisht dhe si rezultat i kësaj përleshje tre (3) simpatizues të ekipit mysafir marrin lëndime trupore, njeri nga të cilët dyshohet të jetë lënduar nga mjeti i mprehtë (thikë). Tifo grupi ”Plisat”, në minutën e 8, ofendon në kor ekipin dhe tifozët mysafir, ndërkaq në minutat 13, 14 dhe 33 të njëjtit kanë ndezur mjete piroteknike tymuese dhe shurdhuese të fuqishme, me ç`rast kanë dëmtuar barin sintetik. Në minutën e 15, një tifoz ka kaluar rrethojën dhe nga ana lindore përmes fushës së lojës ka kaluar në tribunën përendimore të stadiumit. Sipas raporteve të zyrtarëve të ndeshjes Prishtina-Ballkani dhe xhirimeve televizive.

I. Bazuar në nenin 53 paragrafi 1 pika D i Rregullores disiplinore FC “Prishtina”, dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vetë. (Jashtë qytetit të Prishtinës).

II. FC “Prishtina”: Bazuar në nenin 52 paragrafi 1 pika C dhe neni 10 paragrafi 2 pika A të Rregullores disiplinore; Dënohet me gjobë ne shumë prej 1200 euro. Afat i pagesës është 8 tetë ditë kur vendimi bëhët i plotfuqishëm. (Rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1).

III. Obligohet FC “Prishtina”, që dëmin e

shkaktuar nga tifo grupi “ Plisat” , në stadiumin “ Fadil Vokrri” ta paguajë në afat prej 15 ditëve kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. Shuma e dëmit të shkaktuar përcaktohet me vendim të organit kompetent.

FC ”Ballkani”. Tifo grupi ”Xhebrailat”, të vendosur në tribunën veriore kanë demoluar tri (3) ulëse, ndërkaq në tualetin e kësaj tribune kanë dëmtuar katër (4) mbajtëse të letrave, një mbajtëse të dyerve të hekurit dhe është dëmtuar xhami (dritarja). Sipas raporteve te zyrtareve të ndeshjes Prishtina-Ballkani dhe përfaqësuesve zyrtar të ekipeve. Bazuar në nenin 52 paragrafi 1 pika C dhe neni 10 paragrafi 2 pika A të Rregullores disiplinore; Dënohet me gjobë ne shumë prej 1000 euro. Afati i pagesës është 8 tetë ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. (Rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1). Po ashtu, obligohet FC “Ballkani”, që dëmin e shkaktuar nga tifo grupi “Xhebrailat”, në stadiumin “Fadil Vokrri” ta paguajë në afat prej 15 ditëve kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. Shuma e dëmit të shkaktuar përcaktohet me vendim të organit kompetent”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *