Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka zgjedhur pikërisht 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të vendit për të vizituar futbollistët dhe stafin e Kombëtares, në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024, kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.
E para e shtetit falënderoi futbollistët dardanë për përkushtimin e jashtëzakonshëm në përfaqësimin e shtetit, për të cilin ajo tha se është sakrifikuar aq shumë.
“Sot është një ditë e rendësishme, 12 qershori, dita e lirisë sonë, ku secili prej nesh e kujton atë sakrificë. Por nuk ka krenari më të madhe se sa të shohësh secilin prej jush duke e nderuar atë sakrificë aq shumë dhe duke e nderuar Republikën dhe flamurin tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ajo i ka inkurajuar futbollistët për të dhënë më të mirën e tyre në ndeshjet e radhës, teksa ka thënë se me paraqitjet e tyre ata janë shndërruar në ambasadorë të fuqishëm të Republikës.
“Natyrisht presim fitore, por pavarësisht rezultatit jemi me juve, pasi ju jeni krenaria e vendit tonë. E di që shumë prej jush jetoni larg vendit dhe kjo tregon që pavarësisht sa larg jeni një copë Kosove e mbani me vete dhe jeni të interesuar në fuqizimin e shtetit tonë përmes sportit, e që në këtë mënyrë jeni shndërruar në ambasadorë jashtëzakonisht të fuqishëm të Kosovës. Ne bëjmë tifo për ju jo vetëm kur jeni në kombëtare, por edhe në klubet e juaja”, ka shtuar e para e shtetit.
Ndërkaq, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke e falënderuar presidenten Osmani për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj futbollit theksoi se djemtë dardanë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin e tyre në fushë dhe për ta kualifikuar Kosovën në Evropian.