Sot gjatë ditës së sotme (e shtune) ka ndërruar jetë gjyqtari i ri nga Istogu, Labinot Alijaj, shkruan .
Për vdekjen e 28-vjeçarit telegram ngushëllimi ka shprehur edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi në faqen zyrtare të FFK-së ka deklaruar se lajmin për vdekjen e Labinot Alijajt e kanë marrë me pikëllim të madh, derisa e ka quajtur të riun si një djalë kreativ dhe shembull për rininë.
Ky është telegrami i plotë i kreut të shtëpisë së futbollit kosovar:
“E nderuara Familje Alijaj,
Me pikëllim të madh e morëm lajmin që sot papritmas në moshën 28-vjeçare është ndarë nga jeta më i dashuri juaj, Labinot Alijaj, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, gjyqtarëve, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Labinoti ishte djalë kreativ dhe shembull për rininë jo vetëm në Istog por edhe më gjerë. Ai krahas veprimtarisë së tij në komunën e Istogut ishte pjesë aktive edhe në futbollin kosovar, si gjyqtar perspektivë, që punën në fushën e gjelbër e kryente me përkushtim dhe vullnet të jashtëzakonshëm.
Ikja e tij kaq e hershme la të pikëlluar jo vetëm familjen dhe rrethin e tij të ngushtë, por edhe komunitetin e futbollit në tërësi, pasi humbëm një djalë punëtor dhe energjik, andaj në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush për ta përballuar dhimbjen e madhe për më të dashurin tuaj.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.