Presidenti Ademi uron gazetarët sportivë: Gazetaria është përgjegjësi dhe përkushtim ndaj të vërtetës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një mesazhi ka uruar gazetarët sportivë të Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë.

Ai në mesazhin e tij ka thënë se gazetaria sportive nuk është vetëm informim, por edhe përgjegjësi, përkushtim ndaj të vërtetës dhe pasqyrim objektiv i asaj që ndodh brenda dhe jashtë fushës së gjelbër.

“Si president i FFK-së, gjithmonë kam qenë dhe do të jem i hapur për bashkëpunim me gazetarët që e ushtrojnë këtë profesion me ndershmëri, etikë dhe dashuri për futbollin dhe sportin në përgjithësi”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Mesazhi i plotë i Ademit:

2 Korriku shënon Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë, një datë që na bën të reflektojmë mbi rolin thelbësor që ka gazetaria sportive në zhvillimin dhe promovimin e sportit, e veçanërisht të futbollit.

Futbolli nuk është thjesht lojë, është ndjenjë, pasion dhe identitet. Është pjesë e përditshmërisë sonë dhe pa dyshim zgjon emocione të fuqishme tek çdo gjeneratë e kategori e njerëzve, në çdo pjesë të vendit. Dhe janë pikërisht gazetarët sportivë ata që këto emocione i sjellin në çdo shtëpi, duke i dokumentuar me përkushtim sukseset, por edhe sfidat e sportistëve tanë, përmes shkrimeve apo videokronikave e fotografive.

Gazetaria sportive nuk është vetëm informim. Është edhe përgjegjësi. Është përkushtim ndaj të vërtetës dhe pasqyrim objektiv i asaj që ndodh brenda dhe jashtë fushës së gjelbër. Ajo është urë lidhëse ndërmjet tribunave dhe dhomave të zhveshjes, ndërmjet klubeve e federatave dhe tifozëve, ndërmjet të kaluarës me sakrifica dhe të ardhmes plot shpresë.

Si president i FFK-së, gjithmonë kam qenë dhe do të jem i hapur për bashkëpunim me gazetarët që e ushtrojnë këtë profesion me ndershmëri, etikë dhe dashuri për futbollin dhe sportin në përgjithësi.

Vlerësoj lart kontributin e tyre në promovimin e futbollit tonë brenda dhe jashtë vendit, sidomos në momente të rëndësishme për Kosovën, që nga koha e rezistencës e deri te pranimi në UEFA e FIFA, te sukseset e Kombëtares dhe klubeve tona në garat ndërkombëtare, por edhe në ngritjen e ligave vendore.

Gazetarët sportivë nuk janë thjesht përçues të informacionit nga ngjarjet e aktivitet tona, por janë pjesë e historisë së futbollit. Ata kanë qenë aty në çdo hap të rrugëtimit tonë dhe meritojnë respekt, bashkëpunim dhe kushte dinjitoze për të ushtruar misionin e tyre.

Në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën fisnike që bëjnë gazetarët sportivë, shumë prej të cilëve e ushtrojnë këtë profesion në rrethana të vështira, shpesh pa mbështetjen e duhur institucionale apo financiare.

I inkurajoj që, pavarësisht sfidave, të qëndrojnë të përkushtuar ndaj parimeve të gazetarisë profesionale dhe të mos bien në grackën e senzacionit për ‘klikime’, që dëmton jo vetëm besueshmërinë e tyre, por edhe imazhin e gazetarisë dhe vetë sportin.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju uroj shëndet, suksese dhe frymëzim të vazhdueshëm në punën tuaj.

Ne, gazetarinë sportive e shohim si partner në misionin e rritjes së mëtejme të futbollit të Kosovës.

Në këtë jetë nuk jemi për të qenë të përsosur por për të qenë të vërtetë!

Urime Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *