Presidenti Ademi uron Dukagjinin për rikthim në Superligë

Presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar KF Dukagjini, i cili pas një viti është rikthyer sërish në elitën e futbollit tonë.

Në fakt, Dukagjini zhvilloi një edicion mjaft pozitiv, duke luftuar në të dyja frontet, si për titull kampioni në Grupin A të Ligës së Parë, ashtu edhe në Kupën e Kosovës, ku arriti deri në finale.

Edhe pse në kampionat nuk arriti ta sigurojë direkt inkuadrimin në Superligë, një gjë të tillë e bëri përmes barazhit, fillimisht duke e mundur nënkampionin e Grupit B në Ligën e Parë, Flamurtarin, e më pas në ndeshjen kryesore të barazhit e mundi Trepçën’89, pas penalltive.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Të nderuar drejtues, trajnerë, futbollistë, staf teknik dhe tifozë të KF Dukagjini, më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju uroj për rikthimin e klubit tuaj në Superligë.

Suksesi juaj ka ardhur si fryt i punës së palodhshme dhe besimit që kishit në potencialin dhe vlerat tuaja.

Gjatë tërë edicionit garues e zhvilluat një garë të fortë, duke luftuar denjësisht deri në fund në të dyja frontet. Mbase në disa ndeshje edhe u mungoi fati, por në fund arritët që nëpërmjet dy ndeshjeve të barazhit ta siguroni objektivin tuaj – rikthimin në elitë.

Tani, sigurisht se ju pret një punë dhe angazhim më i madh, që ta rrisni nivelin brenda skuadrës tuaj dhe kësisoj t’i kontribuoni ngritjes së mëtejshme të futbollit kosovar.
Duke ju përgëzuar për këtë sukses uroj të organizoheni sa më mirë për edicionin e ardhshëm.

Ndërkaq, klubet që këtë edicion nuk i arritën objektivat e tyre, i inkurajoj që të mos zhgënjehen, por të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në kërkim të realizimit të synimeve në edicionin e ri.

Ju priftë e mbara!

Me respekt,
Agim Ademi – President i FFK-së

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *