Presidenti Ademi takon gjyqtarin e njohur të CAS-it, Daniel Cravo Souza

Presidenti Agim Ademi po qëndron në Tokio në kuadër të Konferencës së FIFA-s, e ku po merr pjesë në seksione të ndara të punimeve të kësaj konference, ku me theks të veçantë është duke ndjekur punimet ku po trajtohet tema e kalimit të lojtarëve nga klubi në klub në nivelin vendor dhe ndërkombëtar në kuadër të FIFA Clearing House.

Ky program i ri i FIFA-s ofron mundësinë e gjetjes së rrugës më të lehtë dhe më profitabile të klubeve dhe futbollistëve tanë si dhe mundësinë e njohjes së rregullave për transferimin e lojtarëve.

Materiali i FIFA Clearing House do të jetë shumë shpejtë në duart e klubeve tona, në mënyrë që ta kenë sa më të qartë transferin e lojtarëve, pasi që Kosova tanimë ka hyrë në agjendat e klubeve të Evropës për të transferuar talentet nga futbolli kosovar dhe kjo i ndihmon klubet tona që të jenë sa më të përgatitura për këto transfere, qoftë edhe për të marrë futbollistë nga jashtë.

Kjo lidhet edhe me rregullat e të drejtës, ku për këtë temë kreu i FFK-së bisedoi me Daniel Cravo Souza, gjyqtar i Gjykatës së arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe njohës i mirë i kësaj çështje dhe i akteve normative, në mënyrë që të bëhet një harmonizim i të gjitha konfederatave dhe federatave për të pasur ligje, rregullore dhe statute të unifikuara, siç e ka FIFA të harmonizuar me Konfederatat e saj anëtare.

Cravo është edhe njohës i mirë i drejtësisë dhe ligjeve të shteteve, të cilat shpeshherë bien ndesh me statutet e federatave, raste këto që dëmtojnë sportin (me këtë rast futbollin) e tyre.

Cravo tha se ekziston limiti i diferencës mes ligjeve të FIFA-s me ligjet shtetërore. Ai tha se duhet të ketë harmonizim për aq sa nuk ndërhyhet në statutin e FIFA-s dhe konfederatave anëtare. Presidenti Ademi dhe Daniel Cravo Souza u dakorduan që në kohën kur e sheh të nevojshme FFK, ai të vijë dhe të mbajë seminar me klubet e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *