Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili ndodhet në Katar për fazën finale të Kupës së Botës ‘Katar 2022’, sot ka pasur një drekë punë me kreun e UEFA-së Aleksandër Çeferin, me drejtorin e Federatave kombëtare në UEFA, Zoran Lakoviq dhe presidentin e FSHF-së dhe njëherësh anëtarin e KE të UEFA-s, Armand Duka.
I pari i futbollit tonë përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë së gjatë këtij takimi, është biseduar për futbollin, planin dhe vizionin për të ardhmen.
“Në drekë pune të ftuar nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, me drejtorin e Federatave kombëtare në UEFA, Zoran Lakoviq dhe presidentin e FSHF-së dhe njëherësh anëtarin e KE të UEFA-s, Armand Duka. Si gjithëherë biseduam me kënaqësi për futbollin, u këshilluam për planet dhe vizionin për të ardhmen. Bashkërisht e presim finalen e jashtëzakonshme të Kupës së Botës, ku Franca si përfaqësuese evropiane do të luajë kundër Argjentinës”, ka shkruar Ademi.