Premierliga superfuqi: Skuadra angleze e vetme shpenzoi sa të gjitha klubet spanjolle

Premierliga angleze për dallim nga vitet e kaluara sivjet nuk solli lëvizje shumë të mëdha në afatin kalimtar të janarit.

Natyrisht në këtë ndikoi kriza e madhe që i ka kapluar klubet për shkak të pandemisë COVID-19 e cila solli një rënie të shpenzimeve me gati 70% nga merkatoja e janarit të vitit 2020.

Pesë klube angleze nuk shpenzuan asnjë euro, përfshirë Chelsean dhe Leicesterin.

Në total, 20 klubet e Premierligës shpenzuan 77.64 milionë paund në merkaton e janarit 2021, krahasuar me 230 milionët e investuara 12 muaj më parë.

Por, përkundër kësaj, Anglia mbetet në qendër të vëmendjes kur janë në pyetje shpenzimet. Skuadra e West Hamit, vetëm me transferimin e Benrahmas për 20 milionë paund, vendosi një rekord, duke shpenzuar më shumë se të gjitha 20 klubet e La Ligës.

Real Madridi e Barcelona nuk bënë asnjë lëvizje, kështu që Premierliga konfirmoi edhe njëherë se mbetet superfuqi financiare edhe në këto momente të vështira që po kalon i gjithë globi./Gazeta-Topi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *