Manchester United po bën gjithçka mundet, që Erling Haaland të bëhet “djall i kuq”. Sa herë që emri i tij tingëllon në lidhje me një transferim, ai i klubit nga “Old Trafford” shfaqet në listën e kandidatëve.
Para se ai të “thyejë” Champions-in me RB Salzburg, duke u shfaqur si shënues vdekjeprurës, Erling Haaland filloi të shkëlqejë te Molde në Norvegji, nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer, tani trajner i Manchester United. Asokohe ishte 17-18 vjeç, Molde me petkun e nënkampiones dhe Erling i ri që shënoi 12 gola në kampionat, si dhe 4 gola në fazën kualifikuese të Ligës së Europës. 16 gola, një produkt i jashtëzakonshëm për moshën.
Kur sezoni mbaroi, Haaland vendosi të kërkonte sfida të reja dhe dy klube shfaqën interes: RB Salzburg e Manchester United. Çmimi i bomberit? Vetëm 3 milionë euro, megjithëse do të përfshinte disa shpërblime të performancës. Kështu, Manchester United përparoi në negociata, gati për të nënshkruar me sulmuesin, i cili ishte rritur me legjendën e “Djajve të Kuq”, por ora e tradhtoi atë.
Sipas shtypit britanik, një konfuzion me zonat kohore bëri që sulmuesi të përfundonte duke nënshkruar me RB Salzburg dhe jo për klubin e njohur anglez. Sipas “Mirror”, agjenti i tij dhe Molde ishin takuar me një përfaqësues të Manchester United për të folur në orën 9 të mëngjesit (sipas orës norvegjeze), por palët u hutuan me zonat kohore dhe morën si referencë orën 9 të mëngjesit britanik. Domethënë, orën 10:00 norvegjeze, për ta mbyllur kontratën me Haaland.
“Djajtë e Kuq” e humbën radhën e tyre dhe RB Salzburg ndërhyri në kohën e duhur, duke mbyllur kështu një nënshkrim, që u konfirmua në janar 2019, sipas Transfermarkt, për 8 milionë euro. Një vlerë që sot tejkalohet qindra fish, si pjesë e Borussia Dortmund. Llogaritet se çmimi i kartonit të sulmuesit ka arritur deri në 110 milionë euro. Çmim që Manchester United do të duhet të paguajë dhe kësaj here të jetë në kohë për të fituar një nga talentet e spikatur, i cili të dominojë dekadën e ardhshme me golat e tij.