Pochettino e lë sërish në stol, Donnarumma bëhet çështje te PSG

Gigio Donnarumma u transferua me bujë te Paris Saint Germain, pasi i dha lamtumirën Milanit si lojtar i lirë dhe klubi francez ishte i vetmi që u tregua i gatshëm t’i plotësojë pretendimet ekonomike, megjithatë aventura franceze e gardianit italian nuk ka nisur aspak mirë.

Ndonëse u shpall lojtari më i mirë i Kampionatit Europian dhe cilësohet një nga më të mirët në botë në rolin e tij, 22-vjeçari nuk shihet si titullar nga trajneri Pochettino, i cili e ka hedhur në fushë vetëm në dy prej 7 ndeshjeve që e ka pasur në dispozicion italianin.

Ndaj Montpellier, për të dytën sfidë radhazi në kampionat, tekniku argjentinas i ka besuar kostarikanit Keilor Navas, ndërsa Donnarumma pa një tjetër 90-minutësh nga pankina e ftohtë e “Parc des Princes”, ku natyrisht që nuk e fshehu zhgënjimin.

Megjithatë Pochettino vijon t’i besojë 35-vjeçarit Navas, që përveç se po bën mjaft mirë detyrën e tij me pritje, ka një avantazh të theksuar ndaj Donnarummës në lojën me këmbë, pasi di të kombinojë mirë me shokët dhe të organizojë manovrën nga mbrapa.

Nga ana tjetër italiani vuan jo pak në menaxhimin e topit dhe shpesh te Milani zgjidhte ta largonte sferën në rivënie anësore, për të mos ndërmarrë as rrezikun më të vogël, megjithatë kjo dobësi duket se po i kushton vendin e titullarit.

Deri tani portieri italian nuk ka folur publikisht për këtë çështje, por e ka bërë këtë menaxheri i tij, Mino Raiola, që në një intervistë për mediat italiane deklaroi me bindje se titullari i PSG-së do të jetë Donnarumma, megjithatë duket se Pochettino nuk i ka dhënë rëndësi dhe vijon të konfirmojë Navas.

Gjithsesi e sigurt është që nëse 22-vjeçari do të vijojë të ngrohë pankinën në mënyrë kaq të shpeshtë, atëherë Raiola do të nisë punën për ta larguar që në janar, qoftë edhe në huazim, pasi në të kundërt rrezikon që të nisin pakënaqësitë në një grup si ai i PSG-së, ku të gjithë ndihen titullarë dhe e kanë të vështirë të pranojnë stolin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *