Steve Bruce ka zbuluar se përdoruesit “e poshtër” të rrjeteve sociale i kanë dërguar atij kërcënime me vdekje dhe “shpresojnë’”që trajneri i Newcastle United të vdesë nga COVID-19. 60-vjeçari nuk është prezent në rrjetet sociale, por djali i tij, Alex, ka një llogari në Twitter, ku rregullisht merr abuzime, që i drejtohen babait të tij në çdo kohë të ditës dhe natës.
Në të vërtetë, vetëm një kërkim i thjeshtë i emrit të Bruce në platformë sjell një mori mesazhesh tronditëse dhe të neveritshme, që askush nuk duhej t’i lexonte kurrë. Bruce tani është bërë trajneri i parë i Premier League, që ka dalë dhe ka folur me kaq hollësi për përvojën e tij të hidhur, vetëm disa ditë pasi gjyqtari Mike Dean mori kërcënime me vdekje, pas dy incidenteve të diskutueshme të kartonit të kuq, javën e kaluar.
“Në bisedat që kam pasur me familjen time gjatë ditëve të fundit, kur kemi qenë duke folur për situatën e Mike Dean, më është sjellë në vëmendje se edhe unë kam marrë kërcënime, – tha Bruce për gazetarët nëpërmjet “Zoom”. – Janë gjëra vërtet të tmerrshme, me të cilat nuk mund të marrësh frymë. Dikush uron dhe shpreson që të vdes nga Covid e gjëra si këto. Është absolutisht e poshtër dhe e turpshme. Duhet të ndalet. Këto kompani të mëdha duhet të fillojnë ta policojnë më mirë vetveten, sesa po bëjnë deri tani”.
Policia e Merseyside ka konfirmuar se po “heton akuzat për komunikime me qëllim të keq”. Bruce e di më mirë se çfarë po kalon gjyqtari, pasi mori kërcënime me vdekje: “Unë nuk vazhdoj më me këtë histori, por, sigurisht, njerëzit e afërt me mua janë të ndjeshëm ndaj babait të tyre. Po, ka pasur kërcënime edhe me vdekje drejt meje. Sidoqoftë, nuk kam pasur kohë të merrem me këto. Kemi njoftuar policinë, sepse kështu ndihemi të pambrojtur.
Kur shoh natyrën e disa prej tyre, që lënë kështu komentesh në rrjetet sociale, situata bëhet krejtësisht e poshtër. Kësi gjërash janë të pahijshme dhe nxisin urrejtje. Diçka duhet bërë. Kur shoh një arbitër me përvojë… Çfarëdo që të mendoni për Mike Dean, ai dhe askush nuk e meriton atë. Ndoshta ka marrë një vendim të gabuar në 30 sekondat e fundit të ndeshjes, por asgjë nuk e justifikon kërcënimin me vdekje.
E patë besoj, ai ndjeu nevojën që të tërhiqej nga gjykimi këtë fundjavë. Këto kompani të mëdha të rrjeteve sociale duhet ta bashkëpunojnë më mirë me policinë dhe të zbulojnë se kush janë këta idiotë, që abuzojnë kaq poshtërsisht. Ata e meritojnë të dënohen rëndë”.