Personalitet dhe shumë talent. Këto janë dy elementët kryesorë në paraqitjet e Kristjan Asllanit në këtë sezon me Interin. Ndeshja e fundit kundër Lecces, vërtetoi se mesfushori i kombëtares është përshtatur më së miri me zikaltërit, duke u “shkrirë” në perfeksion me pjesën tjetër të skuadrës.
Asisti për Lautaro Martinez ishte thjesht “qershia mbi tortë”, me trajnerin Simone Inzaghi që tashmë e bën “gjumin” i qetë pavarësisht se të paktën në dy ndeshjet e radhës do të jetë pa titullarin Hakan Calhanoglu. Asllani është gati për të marrë “çelësat” e mesfushës në sfidat e kampionatit ndaj Atalantës dhe Genoas.
Futbollisti që do të mbushë 22-vjeç më datë nëntë mars, synon të bëjë paraqitje në lartësinë e një klubi si Interi teksa drejtuesit zikaltër deri më tani janë tejet të lumtur nga mesfushori. Asllani është pikërisht aty ku ishte parashikuar nga drejtuesit zikaltër në verë kur i dhuruan besim dhe e shndërruan në zëvendësuesin e parë dhe të vetëm të Calhanoglu.
Tashmë, falë punës së përditshme në stërvitje, Asllani duket gati dhe ndeshjet e radhës mund të rezultojnë vendimtare edhe për merkaton e verës.
Inzaghi mendon për Championsin, titullarët pushim ndaj Salernitanës
Në Itali e bëjnë të sigurt, në rast se Asllani ia del me sukses deri në fundin e sezonit, pritet të rritet në detyrë sezonin e ardhshëm dhe të kthehet në motivin e drejtuesve për të hequr dorë nga Calhanoglu pasi për turkun ofertat “joshëse” nuk mungojnë. Te Inter nuk kanë më dyshime, Asllani është gati për spektakël nga kabina e tij e regjisë./ss