Përhapja e koronavirusit ka pasur ndikim të madh edhe në botën e futbollit, veçanërisht pasi që përqindja e vdekshmërisë nga ky virus i ngrit në 3.4 për qind në fillim të këtij muaji.
Tashmë ky virus është përhapur nga Kina në më shumë se 80 vende të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë dhe pjesë të Evropës, transmeton GE.
Shumë evente sportive janë anuluar, janë shtyrë e disa janë vendosur të zhvillohen pa pranin ëe tifozëve, në mënyrë që të kontrollohet sa më shumë përhapja e këtij virusi.
Të gjitha këto kanë bërë që të ngrihen dyshim mbi vijueshmërinë e këtij sezoni të Premierligës dhe për efektin që mund ta ketë koronavirusi në tentimin e Liverpoolit për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë për herë të parë në 30 vjet.
A mund ta humbë Liverpooli titullin e Premierligës nëse situata përkeqësohet?
Gazeta britanike Telegraph raporton se Liverpooli nuk e ka të garantuar titullin e Premierligës nëse sezoni aktual anulohet për shkak të përhapjes së koronavirusit nëpër botë.
Në librin e rregullave të Premierligës nuk është e caktuar se çfarë duhet të ndodhë nëse gara anulohet para kohe.
Ende nuk është e qartë nëse Premierliga do të vendoste që askush të mos shpallet kampion dhe askush të mos bie nga liga, por që liga të fillojë nga fillimi sezonin e radhës.
Për të vendosur për këtë, gazeta tjetër britanike, DailyMail, raporton se Premierliga, Federata e Futbollit e Anglisë dhe klubet angleze janë duke mbajtur bisedime për ta vendosur më të mirën për të gjithë.