Gjermania e ka mbyllur me rezultat 3-0 pjesën e parë në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian 2024 ndaj Skocisë me ndeshjen që po luhet në “Allianz Arena”.
Gjermanët kaluan në epërsi në minutën e dhjetë përmes Florian Ëirtz i cili realizoi për 1-0 pas një aksioni shumë të bukur.
Të besuarit e Julian Nagelsmann nuk u ndalën më kaq dhe vazhduan me sulme të njëpasnjëshme në drejtim të portës së Skocisë.
Ata shënuan edhe golin e dytë disa minuta më vonë, kësaj radhe përmes Jamal Musialas i cili në minutën e 19-të u shërbye mirë në zonë nga Kai Havertz për rezultatin 2-0.
Në minutën e 25-të gjyqtari Clement Turpin akordoi penallti për Gjermaninë pas një ndërhyrje të palejueshme nga Ryan Christie, por VAR-i intervenoi duke e anuluar atë pasi ndërhyrja ishte bërë jashtë zonës.
Pas një tollovie brenda zonës, mbrojtësi Ryan Porteous shkaktoi ndërhyrje të rrezikshme ndaj Ilkay Gundogan dhe pas rishikimit në VAR, gjyqtari Turpin e akordoi penallti duke e përjashtuar lojtarin me karton të kuq.
Penalltinë e fituar nga Gundogan me gjakftohtësi e ekzekutoi në minutën e 45-të Kai Havertz i cili realizoi për rezultatin 3-0.
Mbetet të shihet se çfarë na premton pjesa e dytë, por duke marrë parasysh ritmin e pjesës së parë dhe faktin që Skocia do të luajë edhe 45 minuta të tjera me një lojtar më pak në fushë, pritet të ketë edhe më shumë gola.