Peja i kthehet fitores, mposht rivalin e vjetër

Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 74:64 (23:12, 12:15, 15:20, 24:17), në kuadër të javës së 12-të të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.

Pejanët e nisën ndeshjen shumë më mirë, duke fituar çerekun e parë 23:12. Lojë më e baraspeshuar u zhvillua në periudhën e dytë, ku mysafirët për një nuancë ishin më të mirë, 12:15, derisa skuadrat shkuan me shifrat 34:27.

Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, që e fituan 15:20, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 49:47. Kjo e bëri ndeshjen shumë interesante, megjithatë, Peja në 10 minutat e fundit, u tregua më e vëmendshme, duke fituar 24:17, për të triumfuar në fund me rezultat 74:64.

Te Peja u dallua Marko Peroviq me 26 pikë e 10 kërcime, kurse te Trepça u dalluan Tramaine Isabell me 19 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime dhe Devin Haygood me 15 pikë e 11 kërcime.

Peja ka tetë fitore dhe katër humbje, kurse Trepça dy fitore dhe dhjetë humbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *