Përfaqësuesi i FIFA dhe mbikqyrësi i Kuvendit zgjedhor të FFK-së, Oliver Jung, ka aprovuar procesin e përzgjedhjes së Komitetit Ekzekutiv.
Me 37 vota pro nga delegatët e këtij kuvendi, sot është zgjedhur Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Kuvendi i Federatës së Futbollit të Kosovës, ishte konvokuar si Kuvend Zgjedhor ku duhet të zgjedheshin anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate për periudhën katër vjeçare 2020 – 2024.
Propozimi që “bllokoi” gjithçka ishte kur Kryetari i FFK-së, Agim Ademi tentoi të kërkojë votëbesim nga anëtarët e Kuvendit, duke dashur “ta unifikojë mandatin e tij me atë të Komitetit Ekzekutiv”.
Kjo bëri që të kishte pakënaqësi ku Arsim Kabashi i Ballkanit, Abedin Zeka i Trepçës’89 dhe posaçërisht Tahir Batatina i Llapit ishin ndër ata që reaguan ndaj këtij vendimi duke e quajtur të parregullt dhe anti statutar, me këtë të fundit që e lëshoi Kuvendin në shenjë pakënaqësie.
Pas votimeve pati disa pakënaqësi, por me fjalën e përfaqësuesit të FIFA, Oliver Jung, është sqaruar gjithçka.
“Po e shohim se kemi demokraci në këtë proces. Kemi shumicën e anëtarëve që votuan për komitetin ekzekutiv. Ata që dolën mund të bëjnë pauzë, por me rëndësi ne kemi shumicën”, tha përfaqësuesi i FIFA-s.