Pas humbjes nga Prishtina, Batatina kritikon orarin e ndeshjeve

Llapi ka pësuar humbjen e parë në edicionin e ri në kuadër të xhiros së katërt kampionale në elitën e futbollit kosovar nga Prishtina.

Fituesit e Kupës së Kosovës u mposhtën 1:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina pas ndeshjes është ankuar në orarin e ndeshjeve të Superligës, teksa pak është marrë me ndeshjen në fushë.

“Është hera e fundit që Llapi luan ndaj një kundërshtari që pushon një javë, ndërsa ne luajmë pas dy ditësh. Prishtina pushoi ndërsa ne luajtëm pas dy ditësh dhe ndikoi lodhja. Pjesa e parë na takoi neve, ndërsa pjesa e dytë ishte e jona. Shënoi Trimëror Selimi dhe më gëzoi shumë si trajner. Futbolli luhet një sezon. Ka ndeshje tjera dhe do të luhen ndeshje edhe vitin tjetër. Neve na ka penalizuar lodhja ndaj Dukagjinit, prandaj do të shohim se do të luajë Prishtina me Dritën në mesjavë ndeshjen e mbetur. Disa skuadra pushojnë dhe disa po luajnë çdo të dytën ditë”, ka deklaruar Tahir Batatina për ArtSport.

“Nëse vazhdojmë kështu, do të krijohet një rrëmujë në kampionat. Ose të shtyhet komplet xhiroja ose të luajmë të gjitha ekipet, përveç Ballkanit. Jemi dakord që Ballkani të pushoj kur ka ndeshje në Evropë, por jo edhe klubet tjera. Prishtina nuk është që ka luajtur në ‘Santiago Bernabeu’. Ka luajtur në Ulpianë, Malishevë e gjithandej”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *