Prishtina nuk ka mundur të arrijë më shumë se barazimi 1:1 në udhëtim te Llapi, në javë e 26-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, tha se pavarësisht barazimit, skuadra e tij do të vazhdojë ta ndjekë titullin kampion.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, tentuam me të gjitha forcat por pranuam një gol nga gjuajtja e lirë. Ne i kemi ditur pikat e forta të tyre dhe jemi munduar t’i ndalim, gjithsesi ky është futbolli”, u shpreh Dallku për “Super Sport Kosova”.
“Për ne asgjë nuk ka përfunduar, ne vazhdojmë tutje pasi gjithçka është e hapur ku presim mos të ketë gabime të tilla në të ardhmen nga ana jonë”, shtoi trajneri bardhekaltër.
“Fusha ishte një problem sot, pasi nxehtësia e saj ishte e madhe, por nuk dua të arsyetohem. Duke parë që kemi përballjet direkte, por edhe gjitha skuadrat tjera do të luajnë me Llapit, atëherë e gjitha mbetet e hapur dhe ne luftojmë për dy fronte”, tha ai.