Pamje nga stërvitja e parë e Shaqirit në Lyon

Xherdan Shaqiri ka filluar të stërvitet për skuadrën e vet të re, Lyon, të martën, vetëm një ditë pasi iu bashkua gjigantit francez nga Liverpooli.

Shaqiri iu bashkua të hënën Lyonit nga Liverpooli për një shumë rreth 11 milionë euro, duke i përfshirë edhe bonuset.

29-vjeçari nënshkroi kontratë trivjeçare me klubin e Ligue 1, ku besohet se do t’i përfitojë nga 4 milionë euro në vit.

Ai nuk ka humbur kohë dhe ka filluar të stërvitet i vetëm fillimisht, para se t’i bashkohet grupit në ditët në vijim.

Lyoni postoi pamje nga stërvitja e parë e përfaqësuesit të Zvicrës në Groupama Stadium.

Në bisedën e tij të parë si lojtar i Lyonit, Shaqiri tha se kalimi në Groupama Stadium e bën të ndihet krenar dhe se mezi pret të zbresë në fushën e lojës.

“Ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur, sepse më në fund e nënshkrova kontratën. Tani jam zyrtarisht lojtar i Lyonit”, tha Shaqiri për uebsajtin e klubit.

“Mezi pres t’ia filloj me këtë ekip dhe ta zbuloj klubin. Stadiumi është i mrekullueshëm. E parafytyroj të mbushur plot. Do të jetë e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Shaqiri i zhvilloi 63 ndeshje për Liverpoolin, të cilit i ishte bashkuar më 2018 nga Stoke City për 15 milionë euro. Por lëndimet luajtën rol të madh për të mos e lejuar atë ta ketë një vazhdimësi të dëshiruar në Anfield.

29-vjeçari e shijoi një Kampionat Evropian mahnitës Euro 2020 këtë verë, duke i ndihmuar Zvicrës ta arrijë një çerekfinale historike me tri gola të shënuara.

Pas Euro 2020, Shaqiri i kishte kërkuar Liverpoolit ta lejonte të largohej.

Kjo do të jetë liga e katërt e madhe evropiane që Shaqiri do të luajë, pasi në të kaluarën luajti për Bayern Munich në Bundesligë dhe Interin në Serie A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *