Bersant Celina e ka frymëzuar Ipswichin drejt fitores së tretë në katër ndeshjet e fundit, me dy gola të mrekullueshëm në triumfin 4:1 kundër Wycombe të martën në League On – kategorinë e tretë të futbollit në Angli.
Përfaqësuesi i Kosovës Celina shënoi nga një herë në secilën pjesë në Adams Park, për ta mbajtur Ipswichin në binarë në luftë për promovim në Championship.
Celina, i cili iu ribashkua klubit nga Suffolk në një marrëveshje huazimi nga Dijoni në verë, e barazoi rezultatin në 1:1 për Ipswichin me një goditje mahnitëse nga rreth 20 metra largësi.
25-vjeçari nga Prizreni e vulosi fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit në ligë për Ipswichin në një kundërsulm, duke e dribluar portierin, që kishte dalë përtej gjysmës së fushës së vet, për të vrapuar i vetëm me topin deri në portë.
Celina wraps it up…. Mick Mills loving it!! #ITFC pic.twitter.com/DOSl3S20D3
— IPSWICH TOWN FANS (@IpswichTownFans) November 2, 2021
Ky ishte goli i tretë në nëntë ndeshje për Celinën në League Onë këtë sezon dhe sulmuesi i Kosovës festoi mbrapa portës bashkë me tifozët e Ipswichit që kishin udhëtuar drejt High Wicombe për ta mbështetur ekipin e tyre.
Ipswichi tani ka 23 pikë në vendin e nëntë në tabelën e League One, vetëm katër pikë larg zonës së play-off për promovim në kategorinë e dytë të futbollit në Angli.
Celina duket ta ketë rimarrë veten plotësisht, pas një telashi me zemër që e kishte në verë, kur mungoi në fillim të sezonit me Dijonin në kategorinë e dytë të futbollit në Francë.
Ai mungoi edhe në ndeshjet e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022 në shtator dhe tetor, përveç në humbjen 2:1 kundër Gjeorgjisë, ku u luajti vetëm katër minuta në Prishtinë.