Osmani e Kurti dorëzojnë flamurin e Kosovës tek ekipi olimpik për “Paris 2024”

Pak ditë para nisjes për në Paris, atje ku Kosova do të përfaqësohet me nëntë sportistë në Lojërat Olimpike, presidentja e vendit Vjosa Osmani ia ka dorëzuar xhudistes Nora Gjakova flamurin e shtetit nën të cilin do të garohet me shtetet më të forta të botës në Francë.

Me këtë rast, Osmani tha se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune te pashoq që në shumë raste kanë punuar edhe në mungesë të kushteve elementare

Ajo siguroi atletët gjatë garës në Paris duhet ta kenë në mendje që i gjithë populli do të jetë në mbështetje të tyre dhe se zemra e çdo kosovari do të rrah për ta, derisa theksoi se këta atletë me fitoret e tyre do të sjellin fitore për të gjithë Kosovën dhe kjo do të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja.

“Për Kosovën pjesëmarrja jonë në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të palodhur, shumë vjeçare, përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq, nganjëherë edhe në rrethana jashtëzakonshme të sportistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Është dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit tonë dhe aftësisë për tu ngritur mbi sfidat e për të shkëlqyer në skenën botërore…Ndërsa dilni në skenën globale mbani në mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, zemra e secili qytetar do të rrah bashkë me tuajën, një shtet i tërë qëndron me ju duke iu brohoritur me krenari dhe besim të plotë në aftësinë dhe punë tuaja”, tha Osmani.

Kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se ky është një moment historik derisa Kosova merr pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike. Ai tha se këto suksese të njëpasnjëshme janë rezultat i punës dhe pasionit të atletëve por edhe të trajnerit Driton Kuka.

Kurti theksoi se rruga drejtë Parisit nuk është e lehtë por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të pa imagjinuara.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se pjesëmarrja e Kosovës është manifestim i shpirtit luftarak kombëtar. Sipas tij, Kosova është e gatshme për ta shijuar një tjetër sukses të atletëve në Paris dhe atletët do të jenë heronj modern të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *