Drita arriti të marrë një pikë në kryeqytet për të dimëruar më e qetë në krye të renditjes.
Takimi mes tyre dhe Prishtinës i luajtur në “Fadil Vokrri” përfundoi në barazim 1-1.
Të dy golat u shënuan nga penalltitë, fillimisht realizoi Besnik Krasniqi e më pas barazoi shifrat, Fidan Gërbeshi.
Pas ndeshjes deklaratë për medie dha trajneri, Ardian Nuhiu.
“Në përgjithësi mendoj se ishte ndeshje e hapur, ndeshje derbi të cilën të dyja skuadrat donin ta fitonin. Prishtina kishte raste më të pastërta, nuk diskutohet, por portieri na mbajti në lojë. Pjesa e dytë na takoi neve dhe erdhëm deri tek goli, meritat i shkojnë të gjitha futbollistëve që kanë bërë gjysmë sezon të jashtëzakonshëm dhe na kanë bërë krenar për paraqitjet e tyre”
“Nuk diskutohet që jemi të kënaqur, grupin e kemi këtu do ta mbajmë teksa nëse shohim të arsyshme të përforcohemi do ta bëjmë këtë gjë”- përfundoi Nuhiu.
Drita e përfundoi sezonin vjeshtor në pozitën e parë ndërsa Prishtina në atë të tretë.