Një karrierë si e Majlindës

Sportistja më e madhe kosovare, ajo që hapi dyert e suksesit të xhudos kosovare në botë, Majlinda Kelmendi i dha fund karrierës sot, ndonëse jo si fituese, ashtu siç ishim mësuar ta shohim çdoherë.

Një karrierë me suksese të panumërta e me përplot medalje. Kështu mund të përshkruhet karriera e heroinës sonë, ambasadores më të mirë të Kosovës.

Talenti i madh që posedonte dhe puna e jashtëzakonshme së bashku me trajnerin e saj, Driton Kukën, bënë që Majlinda të korrte sukseset që nuk i kishte arritur asnjë sportist kosovar.

Ajo fitonte dhe e valonte më së larti flamurin e Kosovës në shumë vende të botës, edhe aty ku nuk na njihnin si shtet i pavarur, kurse neve na jepte gëzim dhe lumturi të pashpjegueshme.

Me sukseset që arriti, ajo kishte mundësi të përfaqësonte shumë shtete, por nuk hoqi dorë nga atdheu i saj. Ajo barti me krenari të madhe flamurin e Kosovës dhe i tregoi botës se edhe në këtë vend të vogël lindin kampionë të mëdhenj. Në pamundësi për ta përfaqësuar Kosovën, në Lojërat Olimpike të vitit 2012 reprezentoi Shqipërinë, por që nuk arriti të stolisej me medalje.

Nëse dikush ende ka dyshime për madhështinë e Majlindës në skenën e xhudos botërore, po u tregojmë edhe arritjet e saj.

Në të gjithë karrierën, Majlinda fitoi 44 medalje, prej tyre 29 të arta, gjashtë të argjendta dhe nëntë të bronzta, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Arritja më e madhe e saj mbetet medalja e artë olimpike në vitin 2016, e para në histori për Kosovën. Ky sukses i hapi rrugë dhe motivoi Norën e Distrian që pesë vite më vonë ta përsërisnin suksesin e mjeshtres së madhe dhe të bëheshin kampione olimpike. Falë tyre, Kosova tani ka tri medalje të arta në vetëm dy Olimpiada që mori pjesë.

E në nder të veprës së saj dhe arritjeve të mëdha, në vitin 2020 u vendos statuja e Majlinda Kelmendit, kampiones së parë olimpike kosovare, në parkun e qytetit të Pejës.

Përveç medaljes olimpike, ajo u shpall dy herë kampione e botës, katër herë kampione evropiane, e dhjetëra herë fitoi të artën në Grand Slame dhe Grand Prix, e ne me krenarinë më të madhe e quajmë Majlindën “e arta jonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *